Matura Shtetërore/ Rreth 27 mijë maturantë testojnë sot njohuritë në Gjuhë Shqipe dhe Letërsi

 

Rreth 27 mijë maturantët në gjithë vendin do të testojnë njohuritë e tyre në provimin e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë. Provimi do të nisë në orën 10:00 dhe do të zgjasë 2 orë e 30 minuta.

Për zhvillimin e provimit janë rreth 145 qendra, ku çdo qendër administrohet nga një përgjegjës administrimi dhe nga administratorë të caktuar për çdo mjedis ku zhvillohet provimi. Provimet e maturës po zhvillohen në shkolla, të cilat plotësojnë kushtet infrastrukturore të përcaktuara në Rregulloren e Maturës Shtetërore.

Ministria e Arsimit dhe Sportit këtë vit ka vendosur që të ketë edhe teste të personalizuara për maturantët që janë me aftësi ndryshe.

Gjatë provimit ndalohet përdorimi i telefonave celularë, orëve inteligjente dhe çdo pajisjeje tjetër teknologjike. Testi duhet plotësuar me stilolaps me një ngjyrë të vetme dhe maturantët janë të detyruar të firmosin në momentin e marrjes dhe dorëzimit të testit.

Maturantët do t’i nënshtrohen provimit të lëndës së Matematikës më 17 qershor dhe provimit të Lëndës me Zgjedhje më 24 qershor. Provimi i parë të cilit iu nënshtruan maturantët në këtë cikël testimesh ishte ai i Gjuhës së Huaj.