
Ksamil–Vlorë, bllokohen 41 mjete lundruese nga Policia Kufitare për shkelje të rënda të sigurisë dhe dokumentacionit
Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare kanë intensifikuar kontrollet përgjatë gjithë vijës bregdetare të qarkut Vlorë, duke ushtruar verifikime të detajuara ndaj mjeteve lundruese, veçanërisht atyre të përdorura për qëllime turistike dhe argëtimi.
Gjatë kontrolleve të zhvilluara nga Ksamili deri në Sarandë, janë inspektuar 132 mjete lundruese, ku 41 prej tyre rezultuan në shkelje të ligjit dhe janë bllokuar.
Nga mjetet e bllokuara rezultojnë:
- 7 Jet Ski
- 34 gomone dhe skafe
Drejtuesit e këtyre mjeteve janë ndëshkuar me masa administrative për shkeljet e mëposhtme:
- 3 raste për shkelje të perimetrit të sigurisë së pushuesve – 100 000 lekë secili
- 2 raste për tejkalim të numrit të lejuar të pasagjerëve në bord – 30 000 lekë secili
- 1 rast për ushtrim të aktivitetit pa licencë – 100 000 lekë
- 1 rast për mosregjistrim të pronësisë së mjetit lundrues – 20 000 lekë
- 34 raste për mungesë dokumentacioni në bord – 10 000 lekë secili
Policia Kufitare e Vlorës apelon fort për respektimin e perimetrit të sigurisë në plazhe, për zbatim rigoroz të rregullave të daljes në det, si dhe për pajisjen me të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për drejtimin e mjeteve lundruese.
Autoritetet nënvizojnë se kontrollet do të vijojnë me intensitet të lartë, nga toka dhe nga deti, përgjatë gjithë sezonit veror, me qëllim garantimin e sigurisë së pushuesve dhe mbrojtjen e jetës në ujë.
Qytetarët ftohen të denoncojnë çdo shkelje apo veprimtari të dyshimtë në numrin pa pagesë 112, duke iu garantuar anonimat dhe reagim të menjëhershëm.