Celibashi:Do të shqyrtohen mbi 610 mijë vota të Tiranës dhe Fierit

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, njoftoi sot në një konferencë për shtyp se mbi 610 mijë vota do të rinumërohen në qarqet e Tiranës dhe Fierit.

Procesi i rinumërimit pritet të nisë të hënën ose të martën e javës së ardhshme, dhe do të përfshijë një organizim logjistik dhe njerëzor që Celibashi e përshkroi si të krahasueshëm me atë të vetë numërimit pas votimeve të 11 majit.

“Është dashur kohë për t’u përgatitur pasi ky proces kërkon një angazhim të madh, si në aspektin logjistik ashtu edhe njerëzor,” u shpreh Celibashi, duke theksuar seriozitetin dhe rëndësinë që i jepet transparencës së këtij procesi.

Ai tha se procesi do të zhvillohet në pallatin e sportit Fahrie Hoti, pasi Parku Olimpik nuk do të jetë i lirë për shkak të një evenimenti sportiv.