Berisha nis rinumërimin masiv: “karma e Ruzhdies”, “Krokodili” dhe rikthimi i operacionit “Çakmaku”

Berisha nis rinumërimin masiv: “karma e Ruzhdies”, “Krokodili” dhe rikthimi i operacionit “Çakmaku”
Jemi thuajse një muaj pas zgjedhjeve të 11 majit, por rezultati përfundimtar ende nuk ka dalë. Në vend që procesi të përmbyllet, përfaqësuesit e Partisë Demokratike në KQZ dhe KAS po përdorin të drejtën e rinumërimit në qarqet më të mëdha si një “mëngjes suedez” politik, duke e zgjatur qëllimisht shpalljen e rezultatit deri në fund të korrikut.

Ndryshe nga dramatizimi mediatik, rinumërimi në vetvete nuk është një problem, përkundrazi. Ai ndihmon në rritjen e transparencës dhe mund të shërbejë si një burim i vlefshëm për studiues dhe analistë. Por ky proces sot rikthen kujtimet e një epoke të shkuar, që ndodhi në zgjedhjet e vitit 2009, kur gjithçka u vendos nga pak mandate në qarqet Fier e Berat.

Atëherë, opozita kërkoi thjesht hapjen e disa kutive të materialeve zgjedhore, por kryetari i KQZ-së së asaj kohe, Arben Ristani, refuzoi. Madje shkoi më tej: dogji materialet me ceremoni në lumin Erzen, në një akt që u interpretua si urdhër i drejtpërdrejtë i Sali Berishës.

Në atë kohë, kreu i opozitës në Kuvend, Gramoz Ruçi, sfidoi Berishën publikisht: “Hap kutinë e fshatit Ruzhdie. Nëse gjithçka është në rregull, jap dorëheqjen.” Por Berisha nuk pranoi, duke e zgjidhur me “gjuhën e zjarrit”.

Ruzhdia u kthye sërish në simbol, së fundmi përmendur edhe nga Edi Rama, në një foto me Elmar Brok – ish-eurodeputet i CDU-së dhe lobist i dikurshëm pro Berishës. Pikërisht ai ishte pjesë e negociatave që çuan në famëkeqen darkë të “Krokodilit”, nga ku lindi edhe operacioni i shumëpërfolur “Çakmaku”, i porositur nga vetë Berisha.

Sot, rinumërimi masiv tingëllon si një vazhdimësi e atyre mekanizmave të vjetër që nuk shërbejnë për të vërtetën, por për mbijetesën politike. Dhe “karma e Ruzhdies” duket se është rikthyer, këtë herë jo si një sfidë morale, por si një manovër strategjike në një betejë të vjetër, ende të pazgjidhur