
Zbardhen emrat e 4 efektivëve të arrestuar në Kapshticë për lejimin e trafikimit të heroinës
Janë bërë publike emrat e pesë të arrestuarve në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur në pikën kufitare të Kapshticës, ku u kapën 6.1 kilogramë heroinë. Mes të ndaluarve janë edhe katër punonjës policie që akuzohen për shpërdorim detyre, pasi nuk ushtruan kontroll ndaj një mjeti ku fshihej droga.
Sipas Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP), në pranga kanë rënë:
- Valmir Balliu, banues në Verdovë, Pogradec – drejtuesi i mjetit ku u gjet droga
- Nënkomisar Ylli Dushku – përgjegjës turni në PKK Kapshticë
- Inspektor Franc Bylyku – nëndrejtor kontrolli në PKK Kapshticë
- Inspektor Lirim Hymetllari – trupë shërbimi në PKK Kapshticë
- Inspektor Denion Myteberi – trupë shërbimi kontrolli, vija e dytë në PKK Kapshticë
Nga hetimet e deritanishme rezulton se punonjësit e policisë, përmes mosveprimeve dhe në shkelje të ligjit, kanë lejuar kalimin e mjetit pa e kontrolluar, duke mundësuar trafikimin e heroinës.
Gjatë operacionit janë sekuestruar 6.134 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar “heroinë”, 5 aparate celularë, 256 fishekë për armë pistoletë (model TT), 20 fishekë për armë gjahu (kalibri 12) si dhe një automjet.
Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Korçë. Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe të përfshirjes së mundshme të personave të tjerë.