
Shqipëria “pushtohet” nga i nxehti afrikan, temperaturat arrijnë deri në 38°C
Kjo e hënë do të sjellë temperatura të larta në të gjithë territorin e Shqipërisë, nën ndikimin e masave ajrore të nxehta me origjinë nga Afrika Veriore. Fillimisht, vendi do të paraqitet me mot të kthjellët dhe vranësira të lehta në orët e para të mëngjesit.
Pas mesditës, vranësirat do të shtohen kryesisht në zonat malore verilindore dhe juglindore, por nuk priten reshje. Në mbrëmje moti rikthehet i kthjellët në të gjithë territorin.
Temperaturat e mëngjesit do të kenë një rritje të lehtë, me minimumin që zbret deri në 11°C në zonat malore. Ndërsa mesdita sjell temperatura maksimale deri në 38°C në jug të vendit.
Era do të fryjë e lehtë deri mesatare nga drejtimi veriperëndimor, me shpejtësi deri në 35 km/h. Si pasojë, në brigjet e Adriatikut dhe Jonit do të ketë dallgëzim me forcë 2 ballë.
Meteorologët parashikojnë që vala e të nxehtit të vijojë edhe në ditët në vijim. Kujdesi ndaj ekspozimit të gjatë në diell mbetet thelbësor, sidomos për grupet më të ndjeshme.