Sekretari i NATO-s: Investoni në mbrojtje ose mësoni rusisht – rritje historike e shpenzimeve ushtarake

“Investoni në mbrojtje ose mësoni rusisht” – paralajmërimi i fortë nga shefi i NATO-s

Ministrat e Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s ranë dakord të rrisin ndjeshëm kapacitetet ushtarake dhe buxhetin e mbrojtjes, në një samit të mbajtur së fundmi në Bruksel.

Sipas vendimit të marrë, 5 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto (GDP) do të shpenzohet për mbrojtjen: 3.5 për qind për armatime të rënda, tanke dhe avionë, ndërsa 1.5 për qind për infrastrukturën ushtarake, mbikëqyrje dhe mbrojtje kibernetike.

“Këto objektiva tregojnë qartë drejtimin ku duhet të ecin aleatët në vitet që vijnë,” u shpreh Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte.

Ai paralajmëroi se kërcënimet ndaj aleancës po rriten, ndërsa rivalët nuk po presin që NATO të jetë gati. “Rusia mund të sulmojë shtetet anëtare në vitet e ardhshme. Ndaj, rritja e shpenzimeve është një domosdoshmëri urgjente,” deklaroi Rutte.

Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar nga aleatët të rrisin ndjeshëm investimet në mbrojtje dhe presin të shohin përparime konkrete në këtë drejtim.