Kryebashkiaku Tavo shkrin IMT-në e Himarës, shkarkohen drejtuesi dhe 5 punonjës

Himarë: Kryebashkiaku Vangjel Tavo shkrin Inspektoratin e Mbrojtjes së Territorit, shkarkon 6 punonjës

Kryetari i Bashkisë së Himarës, Vangjel Tavo, ka marrë një vendim të papritur duke shkrirë tërësisht strukturën e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) në këtë bashki. Me vendimin e tij, janë shkarkuar nga detyra drejtuesi i këtij institucioni dhe pesë punonjës të tjerë.

Edhe pse nuk janë dhënë ende shkaqe zyrtare për këtë vendim, burime paraprake bëjnë me dije se kjo masë ekstreme vjen si pasojë e dyshimeve për abuzime me detyrën dhe mosveprime në terren, në kundërshtim me ligjin dhe funksionin e kësaj strukture.

IMT-ja ka si detyrë kryesore parandalimin dhe ndëshkimin e ndërtimeve të paligjshme, por sipas të dhënave të para, ka vepruar në mënyrë të kundërt me detyrimet ligjore. Pritet një reagim zyrtar nga institucioni për të sqaruar motivet dhe rrethanat që çuan në këtë vendim drastik.