Vlorë, zbulohet rrjet prostitucioni me shtetase kineze, arrestohet 28-vjeçari, kërkohet një 51-vjeçare

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë finalizoi operacionin policor të koduar “Secret Flat”, duke goditur një rast të shfrytëzimit të prostitucionit me shtetase të huaja.

Në përfundim të hetimeve dhe kontrollit të një apartamenti në lagjen “10 Korriku”, u arrestua në flagrancë shtetasi F. S., 28 vjeç, banues në Tiranë, ndërsa u shpall në kërkim shtetasja F. G., 51 vjeçe, me kombësi kineze. Dyshohet se ata kishin marrë me qira një apartament që e kishin përshtatur për zhvillimin e veprimtarisë së paligjshme të prostitucionit.

Në ambientin e kontrolluar u konstatuan tre shtetase të huaja me kombësi kineze, të cilat shfrytëzoheshin për prostitucion kundrejt pagesës. Ato janë proceduar penalisht për veprën “Prostitucioni”.

Policia po vijon punën për dokumentimin e plotë të rastit dhe për kapjen e shtetases së shpallur në kërkim. Materialet hetimore janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.