Muzikë mbi normë e punonjës të padeklaruar në lokal në Ksamil, procedohet penalisht 33-vjeçari

Screenshot

Vlorë – Në kuadër të masave për ruajtjen e qetësisë publike dhe mbrojtjen nga ndotja akustike në zonat turistike, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë kanë intensifikuar kontrollet në të gjithë qarkun, me fokus subjektet që zhvillojnë veprimtari me muzikë të lartë.

Gjatë një kontrolli në një lokal në Ksamil, shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë konstatuan se muzika në këtë subjekt tejkalonte kufijtë e lejuar me ligj. Si rezultat, ndaj lokalit me pronar shtetasin A. M., 33 vjeç, banues në Ksamil, u vendos një masë administrative bazuar në legjislacionin në fuqi.

Verifikimet e mëtejshme zbuluan se A. M. kishte punësuar disa persona pa i regjistruar në organet përkatëse, si dhe nuk lëshonte fatura tatimore për shërbimet e ofruara. Për këto shkelje, specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për 33-vjeçarin.

DVP Vlorë apelon për të gjithë personat fizikë dhe juridikë që të respektojnë nivelin dhe orarin e lejuar të muzikës dhe të ushtrojnë aktivitetin në përputhje me ligjin.

Policia e Shtetit mbetet e vendosur për të garantuar një sezon turistik të qetë dhe të sigurt