Aksident në Fermë Çlirim, tre të plagosur; ngjarje të tjera penale në Fier dhe Lushnjë nën hetim

Drejtoria Vendore e Policisë Fier njofton se specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin A. B., 28 vjeç, banues në Fier. Arrestimi u bë pasi mbrëmjen e djeshme, në fshatin Fermë Çlirim, automjeti që ai drejtonte u përplas me një mjet pune (frezë me rimorkio), me drejtues shtetasin G. Ç., 50 vjeç. Si pasojë e aksidentit u dëmtuan shtetasit G. Ç., A. Ç., 66 vjeç dhe një shtetas 14-vjeçar, që ndodheshin në rimorkion e frezës. Të dëmtuarit ndodhen në spital nën kujdesin e mjekëve.

Ndërkohë, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë ndaluan shtetasin M. Ç., 36 vjeç, nga Barbullinja e Lushnjës, i dyshuar për kryerjen e marrëdhënieve seksuale me dhunë ndaj një 24-vjeçareje disa muaj më parë.

Po ashtu, u referuan materialet në Prokurori për fillimin e procedimit penal ndaj katër shtetasve nga Fiershegani: I. M., 49 vjeç, F. M., 32 vjeç, I. M., 42 vjeç dhe E. M., 20 vjeç. Ata dyshohet se kanë ushtruar dhunë fizike ndaj një 65-vjeçari dhe kanë thyer xhamat e lokalit të tij për motive të dobëta.

Gjithashtu, janë referuar materialet për një ngjarje të ndodhur në ambulancën e lagjes Savër, ku shtetasja M. V., 78 vjeç, pas marrjes së një injeksioni, pësoi reaksion dhe ndërroi jetë në spitalin e Lushnjës. Po kryhen veprimet për përcaktimin e shkakut të vdekjes.

Materialet procedurale për të gjitha rastet janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.

Avatar photo
Arveni Avdulaj
5 Qershor, 15:39 | Përditësimi: 5 Qershor, 15:39