
Grupi më i madh i tifozëve të Kombëtares shqiptare, “Tifozat Kuq e Zi”, kanë njoftuar se nuk do të jenë të pranishëm në stadium për ndeshjen Shqipëri–Serbi më 7 qershor. Ky është vetëm bojkoti i dytë në 21 vite që ata nuk ndjekin fizikisht Kombëtaren.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, tifozët shprehën pakënaqësinë e thellë ndaj Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), duke e akuzuar për organizimin e një shorti të rremë për ndarjen e biletave. Sipas tyre, ky sistem favorizon kompanitë turistike dhe shërben për të ushqyer tregun e zi me bileta që shiten me çmime të larta.
“Të dashur shqiptarë, këtë herë nuk na ndalon armiku, por mikpritësit e tij. Nuk do jemi aty ku kemi qenë gjithmonë – pranë Kombëtares sonë,” thuhet në deklaratë, ku kujtohet edhe rasti i vitit 2014 kur nuk u lejuan të futeshin në stadiumin në Beograd.
Ata e cilësojnë këtë vendim si të dhimbshëm, por të domosdoshëm për të denoncuar një praktikë që e konsiderojnë të padrejtë dhe përjashtuese për tifozët e vërtetë.