
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) i është përgjigjur zyrtarisht kërkesës së Partisë Demokratike, e cila kërkoi sqarime dhe hetim administrativ mbi fatin e 130 mijë fletëve të papërdorura të votimit nga zgjedhjet e 11 majit 2025.
Në reagimin e saj, KQZ shpjegon se një pjesë e këtyre fletëve i përket zonave ku është aplikuar votimi elektronik dhe nuk ka qenë e nevojshme përdorimi i fletëve fizike. Konkretisht, bëhet fjalë për 27,340 fletë në 74 Qendra Votimi në Bashkinë Vorë (ZAZ nr. 27) dhe Njësinë nr. 10 në Tiranë (ZAZ nr. 41).
Ndërkohë, 99,455 fletë votimi të tjera rezultojnë të papërdorura në 233 QV, ku sipas KQZ janë bërë gabime në plotësimin e procesverbaleve, duke raportuar gabimisht “0” fletë të papërdorura. Këto fletë, sipas KQZ, janë gjithsesi të dokumentuara dhe pjesë e arkivës zyrtare.
Sipas KQZ, numri total i fletëve të papërdorura është raportuar nga vetë komisionet e Qendrave të Votimit dhe i përputhet me të dhënat zyrtare të grumbulluara pas mbylljes së procesit zgjedhor.
Në fund të reagimit, institucioni thekson se është i hapur për çdo verifikim shtesë në përputhje me ligjin dhe transparencën zgjedhore.