
Një ngjarje shqetësuese është regjistruar paraditen e së hënës në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Sarandë, ku një prokurore është kanosur brenda zyrës së saj nga dy shtetase.
Sipas burimeve paraprake, dy gratë e përfshira në incident janë të afërme të një të mituri, për të cilin prokurorja kishte dhënë masën e sigurisë “arrest në shtëpi”. Ato janë paraqitur në prokurori dhe kanë kërkuar një takim me prokuroren e çështjes, por gjatë përballjes kanë reaguar me agresivitet duke e fyer dhe kanosur në mënyrë të drejtpërdrejtë.
Emri i prokurores dhe identitetet e grave të dyshuara nuk janë bërë ende publike. Ngjarja ka alarmuar stafin e institucionit, ndërsa mësohet se autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat dhe për të përcaktuar nëse ka vend për ndjekje penale ndaj të dyshuara-ve.