“Uroj t’i ndodhë si Martinas!” – Profesori kërcënon vajzën e Melonit, rrëfen pse bëri komentin tronditës

Një ngjarje e rëndë ka tronditur opinionin publik në Itali, pasi vajza e mitur e kryeministres Giorgia Meloni është kërcënuar me jetë në rrjetet sociale. Autori i këtij mesazhi kërcënues është identifikuar si Stefano Addeo, 65 vjeç, profesor i gjuhës gjermane nga provinca e Napolit, në rajonin e Campanias.

Në një koment të postuar në rrjete sociale, Addeo i ka uruar vajzës së vogël të Melonit “të njëjtin fat si Martina Carbonaro”, një vajzë minorene nga qyteti Afragola, e cila u vra brutalisht në një rast tragjik feminicidi. Komenti u denoncua menjëherë nga partia e kryeministres, Fratelli d’Italia, që e cilësoi deklaratën si “të frikshme dhe të papranueshme”.

Pas identifikimit nga autoritetet, profesori ka dhënë një intervistë për një media lokale në Romë, ku ka kërkuar falje publike. “Ishte një gjest prej budallai, i bërë në mënyrë impulsive”, u shpreh ai. Megjithatë, Addeo theksoi se, edhe pse nuk i dëshiron askujt vdekjen, nuk është i gatshëm të distancohet nga bindjet e tij politike.

Ngjarja ka nxitur reagime të forta në Itali, ku shumë figura publike kanë dënuar ashpër gjuhën e urrejtjes që prek edhe fëmijët e personazheve politike. Autoritetet italiane po hetojnë rastin dhe pritet që ndaj Addeos të ndërmerren masa ligjore për nxitje të urrejtjes dhe kërcënim me jetë.