
Rëndohet bilanci i aksidentit të rëndë të ndodhur këtë të dielë në qytetin e Vlorës, ku kanë humbur jetën dy të rinj. Ngjarja tragjike ndodhi rreth orës 13:35 në aksin nacional Vlorë–Fier, pranë një karburanti në zonën e njohur si “Pusi i Mezinit”.
Sipas të dhënave zyrtare nga Policia, një motomjet tip Piaggio, me targa AK653, ka humbur kontrollin për shkaqe ende të paqarta dhe ka dalë nga rruga. Mjeti është përplasur fillimisht me një shtyllë elektrike dhe më pas me një shtyllë druri, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe pasoja fatale për pasagjerët.
Drejtuesi i motomjetit, shtetasi L. Ll., 19 vjeç, ndërroi jetë në vendngjarje, ndërsa pasagjeri i mitur, T. M., 16 vjeç, ndërroi jetë gjatë transportimit për në Spitalin e Traumës në Tiranë.
Policia njoftoi se materialet procedurale në lidhje me aksidentin do t’i referohen Prokurorisë për hetime të mëtejshme. Ndërkohë, grupi hetimor vijon punën për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje të rëndë që ka tronditur opinionin publik.