
Një aksident tragjik ndodhi paraditen e së dielës përballë zonës së Shkëmbit të Kavajës, ku një çift anglez që po lundronte me një Jet Ski humbi kontrollin dhe përfundoi në det. Ngjarja ndodhi rreth orës 11:00 dhe përfundoi me një viktimë dhe një të plagosur rëndë.
Sipas të dhënave paraprake të Policisë Kufitare të Portit të Durrësit, dy shtetasit, banues në Angli, dyshohet se gjatë manovrave të shpejta në det, kanë rënë nga mjeti lundrues. Menjëherë pas sinjalizimit, shërbimet e Policisë Kufitare ndërhynë me mjet lundrues dhe transportuan të dëmtuarit në port, ku ndodhej në pritje edhe ekipi i urgjencës mjekësore.
Fatkeqësisht, 34-vjeçari Asare Obeng u konstatua i pajetë në momentin e mbërritjes në port, ndërsa 31-vjeçarja Vera Buame, shoqëruesja e tij, u transportua me urgjencë drejt spitalit në gjendje të rëndë shëndetësore.
Grupi hetimor i ngritur posaçërisht për këtë ngjarje, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për të zbardhur rrethanat e aksidentit dhe për të dokumentuar plotësisht këtë ngjarje tragjike që tronditi zonën turistike të Shkëmbit të Kavajës