
Deçiç nga Tuzi është shpallur fitues i Kupës së Malit të Zi, pasi mundi Mornarin me rezultatin 1:0 në finalen e zhvilluar në Nikshiq. Goli i vetëm i takimit u realizua nga Kajević në minutën e 23-të.
Me këtë fitore, klubi shqiptar siguron trofeun e dytë në histori dhe një vend në raundet kualifikuese të Ligës së Konferencës për sezonin e ardhshëm.
Suksesi vjen pas një sezoni pozitiv për Deçiçin, i cili një vit më parë fitoi edhe titullin kampion. Por triumfi i radhës është shoqëruar me jehonë të gjerë, për shkak të polemikave lidhur me ndryshimin e ngjyrave zyrtare të ekipit nga blu e bardhë në kuqezi, që kanë nxitur reagime dhe diskutime në Mal të Zi.