
Erion Alibej ka dhënë dëshmi para prokurorëve, duke treguar detaje të reja për atentatin e vitit 2018, ku mbeti i vrarë vëllai i tij dhe dy persona të tjerë. Ai ka rrëfyer bisedat me Suel Çelën, i cili ka mohuar përfshirjen, por Alibej e kishte vënë në dijeni se një nga atentatorët ishte “ushtar” i tij nga Shkodra.
Alibej ka folur edhe për motivet e mundshme të vrasjes së avokat Ravik Gurrës. Sipas tij, Sueli kishte deklaruar se “i futi shumë hunët te ‘maçi’”, duke iu referuar Klodian Çopjes.
Në dëshminë e tij, Alibej ka përmendur edhe ndihmën që ka marrë nga një punonjës policie, i cili i siguronte informacion përmes sistemit TIMS. Në këmbim, Alibej i kishte dhënë një telefon të enkriptuar me platformën SKY ECC.
Ai ka përmendur se drejt zbardhjes së atentatit kishte qenë ish-drejtori i Policisë së Elbasanit, Altin Qato, i cili u zhvendos papritur nga detyra dhe u zëvendësua nga Arjan Muça.