Administrata Trump vendos objektiv: 3,000 arrestime në ditë për emigrantët pa dokumente

Administrata Trump ka vendosur një kuotë të re agresive për arrestimet e emigrantëve, duke synuar 3,000 persona në ditë, ose mbi 1 milion në vit, sipas burimeve nga takimi i mbajtur më 21 maj në Washington DC.

Objektivi trefishon shifrat e mëparshme dhe shënon një përshkallëzim të ndjeshëm të operacioneve të ICE (Imigracioni dhe Doganat), duke përfshirë agjencitë federale, policinë lokale dhe zbatimin e ligjit në shtete të ndryshme për të ndihmuar në arrestime.

Për herë të parë, agjentët janë urdhëruar të kryejnë arrestime edhe në gjykata, ambiente më parë të konsideruara si të mbrojtura. Avokatë dhe aktivistë të të drejtave të njeriut paralajmërojnë për pasoja të rënda në komunitete dhe shkelje të procesit të rregullt ligjor.

Sipas zyrtarëve federalë, përqendrimi i burimeve tek arrestimet e imigrantëve po lë pas dore hetime të tjera të rëndësishme. Deri më 18 maj, numri i të ndaluarve nga ICE ka arritur 49,000, me përdorim të burgjeve lokale dhe federale për të përballuar mbipopullimin.

Ndërkohë, politikanë dhe organizata të të drejtave të njeriut paralajmërojnë se kjo qasje ka shkaktuar frikë në komunitete, duke prekur edhe banorët e hershëm dhe familjet që ndjekin procedurat ligjore. Kritikët theksojnë se objektivi i ri është shumë larg premtimeve zgjedhore për deportimin e 15-20 milionë personave, duke theksuar se numri aktual i imigrantëve pa dokumente vlerësohet në rreth 11 milionë.