
Drejtoria Vendore e Policisë Fier njofton se janë marrë të gjitha masat për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë zhvillimit të etapës së tretë të turit të 82-të çiklistik të Shqipërisë, që do të zhvillohet më 28 maj 2025.
Shërbimet e Sektorit të Policisë Rrugore kanë hartuar një plan të detajuar për mbarëvajtjen e aktivitetit dhe për të minimizuar ndikimin në lëvizjen e automjeteve në akset ku do të kalojnë çiklistët.
Policia kërkon mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e qytetarëve për të shmangur kalimin në këto segmente rrugore, në oraret e mëposhtme:
- Rruga Poshnjë–Savër: nga ora 13:15 deri në 14:30
- Rruga Savër–Fier (mbikalimi te VIVA): nga ora 14:10 deri në 14:40
- Unaza e Fierit deri në Levan: nga ora 14:15 deri në 15:20
- Autostrada Levan–Vlorë: nga ora 15:00 deri në 15:50
Policia apelon që drejtuesit e mjeteve të respektojnë sinjalizimin dhe orientimin e punonjësve të policisë në terren, duke shmangur qarkullimin në segmentet e përmendura gjatë intervaleve të përcaktuara.
“Duke ju falënderuar për mirëkuptimin, kërkojmë bashkëpunimin e të gjithë qytetarëve për suksesin e këtij aktiviteti sportiv me rëndësi kombëtare,” thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë së Fierit