
Janë publikuar pamjet e kamerave të sigurisë që tregojnë momentin e shpërthimit me lëndë plasëse në një lokal në lagjen “Çlirim” të Beratit. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:58 të mëngjesit të së dielës, kur një automjet tip BMW me portobagazh ndalon për disa sekonda para derës së lokalit.
Nga mjeti nuk zbret askush, por nga xhami i dritares së parë të pasagjerit hidhet një objekt në drejtim të lokalit. Vetëm një minutë më pas ndodh shpërthimi, që fatmirësisht ka shkaktuar vetëm dëme materiale.
Burimet policore bëjnë me dije se në mjet ndodheshin dy ose më shumë persona, të cilët nuk kanë zbritur, duke qenë të vetëdijshëm për praninë e kamerave në zonë. Po të njëjtat burime konfirmojnë se lënda plasëse është hedhur me fitil të ndezur dhe se objekti i sulmit ishte lokali i shtetasit Sali Fetiu.
Aktualisht po hetohet në disa pista të mundshme dhe janë shoqëruar disa persona, por ende nuk ka një të dyshuar të identifikuar.