
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Alpet zvicerane, ku një pjesë e madhe e akullnajës është shembur dhe ka përmbytur fshatin Blatten.
Edhe pse fshati ishte evakuuar disa ditë më parë për shkak të rrezikut, një person rezulton i zhdukur dhe shumë shtëpi janë rrafshuar nga rrëshqitja.
Kryetari i fshatit, Matthias Bellwald, u shpreh i prekur: “E pamendueshmja ndodhi. Kemi humbur fshatin, por jo shpresën.”
Banorët u larguan më 19 maj pasi shkencëtarët paralajmëruan se akullnaja mund të shembej. Tani, shumë prej tyre mund të mos kthehen më kurrë në shtëpitë e tyre.
Pamjet nga droni treguan momentin kur akulli dhe balta u shkëputën dhe rrëshqitën me zhurmë të madhe drejt fshatit, duke lënë pas një re të madhe pluhuri dhe shumë dëme.
Autoritetet zvicerane kanë kërkuar ndihmë nga ushtria për përballimin e situatës, ndërsa qeveria ka premtuar ndihmë financiare për banorët që nuk mund të kthehen në shtëpitë e tyre.
Ndryshimet klimatike janë një nga arsyet kryesore për këtë tragjedi. Akullnajat po shkrihen gjithnjë e më shpejt dhe ngrica që mban bashkë malet po shkrin gjithashtu, duke e bërë zonën shumë të rrezikshme.
Ekspertët paralajmërojnë se nëse nuk merren masa për ngrohjen globale, ngjarje të tilla do të bëhen gjithnjë e më të zakonshme.