Arrestohet në Lushnjë 28-vjeçari, kapet me armë dhe lëndë narkotike në automjet e banesë

Lushnjë – Një 28-vjeçar është arrestuar në flagrancë nga policia lokale, pasi gjatë një kontrolli në automjetin që drejtonte dhe në banesën e tij u gjetën armë dhe lëndë narkotike.

Sipas njoftimit zyrtar të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, gjatë kontrollit në automjetin e shtetasit E.S., banues në Lushnjë, u sekuestrua një armë e ftohtë (thikë) dhe një sasi Cannabis Sativa. Ndërkohë, në banesën e tij u gjet një armë sportive dhe një sasi fishekësh.
Operacioni u zhvillua në kuadër të kontrolleve sistematike për goditjen e veprimtarive kriminale në zonë. Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë Fier për hetime të mëtejshme.