Akomodimi për pushime shtrenjtohet me 3-5% – Në Dhërmi mesatarisht 95 euro/nata

Në prag të sezonit turistik veror, çmimet e apartamenteve që jepen me qira ditore në zonat më të frekuentuara turistike, si Dhërmi, Shëngjin, Himarë dhe Velipojë, kanë shënuar një rritje të lehtë prej 3-5%.

Sipas të dhënave nga platforma Booking, gjatë muajit qershor dhe në fillim të korrikut, çmimet për një natë variojnë nga 45 euro në Velipojë e renditur si zona më e lirë për akomodim, deri në 95 euro në Dhërmi, që aktualisht është zona me çmimin më të lartë mesatar për natë në hotele apo struktura të ngjashme.

Ndërkohë, edhe në platformën Airbnb, ku ofrohen apartamente për qira afatshkurtër, vihet re një çmim mesatar prej afro 90 dollarësh për natë në fillim të muajit korrik.

Nga ana tjetër, Ksamili duket se ka pësuar një ulje të lehtë në çmimet e akomodimit afatshkurtër, ku çmimi për një natë qëndron aktualisht në intervalin 55–60 dollarë. Kjo përfaqëson një zbritje krahasuar me një vit më parë, kur çmimet ishin më të larta për të njëjtën periudhë.

Për sa i përket numrit të listimeve në Airbnb, në fillim të verës së kaluar Shqipëria arriti në 21,500 listime aktive, duke shënuar një rritje prej 39% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023.

Pritshmëritë për këtë vit janë që ky trend të vazhdojë, megjithëse me një ritëm më të moderuar rritjeje, për shkak të fluksit më të madh të turistëve të huaj dhe vendas që kanë mbërritur në vend gjatë muajve të parë të vitit 2025.