
Neurologët e Spitalit Memorial kanë realizuar me sukses një nga ndërhyrjet më të avancuara dhe jetësoruese në neurologji – trombektominë. Kjo procedurë përdoret për të hequr mpiksjen e gjakut në rastet e ishemisë akute të trurit dhe konsiderohet standardi i artë në trajtimin e goditjes cerebrale.
Ndërhyrja përfaqëson një hap të madh përpara për shëndetësinë shqiptare, pasi aktualisht nuk realizohet në asnjë spital shtetëror në vend. Kjo e bën arritjen e stafit të Spitalit Memorial veçanërisht domethënëse dhe premtuese për pacientët që kanë nevojë për trajtim të menjëhershëm neurologjik.
Sipas specialistëve, trombektomia mund të shpëtojë jetë dhe të minimizojë dëmtimet neurologjike të përhershme, nëse aplikohet brenda një dritareje kohore shumë të kufizuar pas shfaqjes së simptomave të goditjes në tru.
Kjo arritje vendos Spitalin Memorial në pararojë të trajtimit të rasteve urgjente neurologjike dhe thekson domosdoshmërinë e modernizimit të shërbimeve spitalore publike në Shqipëri.