Çmime 10 mijë €/m² në qendër të Tiranës? Shoqata e Real-Estate: Jo reale, po testohen kufijtë e tregut!

Tiranë – Çmime deri në 10 mijë euro për metër katror në qendër të kryeqytetit? Shoqata e pasurive të paluajtshme: Po testohen kufijtë e tregut, nuk janë çmime reale.

Rritja e ndjeshme e interesit për tregun imobiliar në Tiranë, sidomos pas bumit turistik dhe investimeve në sektorin e ndërtimit, ka sjellë çmime befasuese në disa projekte të reja pranë qendrës së qytetit. Sipas agjentëve, në disa zona elitare të kryeqytetit janë hedhur në treg prona me çmime që variojnë nga 7 deri në 10 mijë euro për metër katror.

Por ekspertët e fushës i konsiderojnë këto shifra si jorealiste dhe të paqëndrueshme. Reinaldo Pipiria, drejtori i Shoqatës Kombëtare të Real-Estate në Shqipëri (NAREA), shprehet se këto çmime nuk reflektojnë vlerën reale të tregut.

“Ne shohim se po zbatohen disa projekte elitare në zonën kryesore pranë qendrës së Tiranës. Në lancimin e këtyre projekteve, çmimet me të cilat hidhen në treg disa prona arrijnë edhe në 8 apo 10 mijë euro. Ne jemi të bindur se këto shifra nuk janë realiste. Agjentët i nxjerrin këto çmime më shumë për të testuar tregun. Ato zakonisht korrigjohen me kohën,” – deklaroi Pipiria.

Tregu imobiliar në Shqipëri vijon të jetë në zhvillim, por sipas ekspertëve, duhet një kujdes më i madh për të shmangur inflacionin artificial të çmimeve dhe krijimin e një flluske të rrezikshme financiare.

Shoqata NAREA apelon për më shumë transparencë në publikimin e të dhënave të tregut dhe për reflektim të vlerave reale që përkojnë me fuqinë blerëse dhe zhvillimin urban të qytetit