
Një shtetas shqiptar 38-vjeç ka humbur jetën mbrëmjen e së shtunës në Nettuno, afër Romës, teksa tentonte t’i shpëtonte ndjekjes nga policia italiane. Ngjarja tragjike ndodhi rreth orës 20:30, kur dy automjete kaluan me shpejtësi pranë dy patrullave të karabinierëve.
Forcat e rendit nisën ndjekjen e njërës prej makinave, ku u ndalua një 26-vjeçar italian. Ndërkohë, automjeti tjetër, një Fiat Cinquecento me drejtues shqiptarin, vijoi arratisjen deri në një rrugë dytësore të dëmtuar dhe pa asfalt.
Sipas mediave italiane, automjeti humbi kontrollin, u përplas me një shtyllë telefoni dhe u rrotullua disa herë. Nga makina doli një çantë e madhe, brenda së cilës policia gjeti 23 paketa me gjithsej 25 kilogramë kokainë.
Shërbimet e emergjencës mbërritën në vendngjarje, por 38-vjeçari kishte ndërruar jetë në vend si pasojë e përplasjes. Trupi i pajetë u transportua në spitalin “Policlinico Tor Vergata” për ekzaminime të mëtejshme.
Autoritetet italiane kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrjetin dhe origjinën e drogës, ndërsa pritet të ketë arrestime të tjera në vijim.