
Elda Xhakollari ka reaguar publikisht pas lajmeve të përhapura në media dhe rrjete sociale, që e përfshijnë atë në një situatë të përfolur me Termet Pecin. Në një reagim të gjatë dhe të ndjerë, ajo i ka quajtur akuzat shpifje dhe sulm të ulët ndaj integritetit të saj personal dhe familjar.
“Prej disa ditësh jam bërë subjekt lajmesh të pavërteta dhe shpifëse që kanë qarkulluar në portale. Një situatë pune është keqinterpretuar dhe është kthyer në një histori që nuk ka lidhje me realitetin tim”, shkruan Xhakollari në rrjetet sociale.
Ajo shpreh dhimbjen për ndikimin emocional që kjo histori ka pasur mbi familjen e saj, veçanërisht mbi dy fëmijët e mitur. “Ata nuk e kuptojnë pse nëna e tyre përflitet padrejtësisht, por e ndiejnë dhimbjen, dhe kjo më copëton më shumë se çdo gjë tjetër”, shkruan ajo.
Xhakollari nënvizon se çdo hap ligjor i nevojshëm është duke u ndërmarrë për të mbrojtur të vërtetën dhe për të përballur autorët e shpifjeve me drejtësinë. Ajo mohon gjithashtu çdo deklaratë që pretendohet se është dhënë nga bashkëshorti i saj, duke e quajtur atë një trillim të plotë.
“Ky është një atentat ndaj të drejtës për privatësi dhe një përpjekje për të më gjykuar publikisht pa asnjë provë. Dinjiteti im nuk është në shitje”, thekson Xhakollari.
Në fund të deklaratës së saj, ajo falënderon të gjithë ata që i kanë qëndruar pranë dhe bën thirrje për ndjeshmëri, etikë dhe përfundimin e praktikës së shpifjeve në emër të lajmit.