Vëllezërit Xhani arrestohen në Durrës: Dyshohet se organizuan vrasjen e Bujar Nasufit, zbulohet si u kapën nga hetimet e operacionit “Enigma”.

Vëllezërit përmetarë Voltan dhe Jugert Xhani janë arrestuar në Durrës si pjesë e operacionit të koduar “Enigma”, pasi dyshohen si organizatorë dhe financues të vrasjes së biznesmenit Bujar Nasufi, ngjarje e ndodhur më 12 janar 2025 pranë zonës “Pallati me Shigjeta” në Tiranë.

Sipas hetimeve, autoritetet kanë identifikuar një dorezë të djegur pjesërisht në vendin ku u braktis motori i përdorur në atentat. Nga ajo provë, u izolua një profil ADN-je, i cili pritet të krahasohet me atë të dy vëllezërve, si dhe me ADN-në e nënës së tyre për të forcuar provat ligjore.

Vëllezërit Xhani, të skeduar më parë për trafik droge në Holandë, dyshohet se kishin konflikte të forta me Nasufin për çështje pronësie. Bujar Nasufi u qëllua për vdekje pranë banesës së tij, teksa po parkonte makinën në prani të bashkëshortes.

Më herët, Voltan Xhani ishte shpallur në kërkim edhe për lidhje me ekzekutimin e Elis Rroshkodolit në Shkodër, pasi në servisin e tij u zbulua mjeti i përdorur në atentat. Prokuroria po heton gjithashtu lidhjet e mundshme të tyre me trafikun e drogës dhe konflikte me grupin e Çopjave.

Arrestimi i tyre ndodhi në një operacion të suksesshëm në Durrës, ku ishin në shoqërinë e të shumëkërkuarit Xhevdet Plaku (alias “Akili”) dhe Flobens Mecia (alias Gega/Drini), të dy të lidhur me botën e krimit të organizuar. Hetimet janë në vijim për të dokumentuar të plotë zinxhirin kriminal të ngjarjes