
Zbardhen detaje të reja rreth vdekjes së një shtetasi italian 63-vjeçar në Tiranë, i cili ndërroi jetë mëngjesin e sotëm në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, disa ditë pasi kishte kryer një ndërhyrje dentare në një klinikë private.
Sipas të dhënave paraprake, italiani kishte mbërritur në Shqipëri përkohësisht për të kryer shërbime dentare. Më 20 maj, ai kishte shkuar në një klinikë në Rrugën e Kosovarëve për të mbushur tre dhëmballë. Ndërhyrja, sipas klinikës, kishte kaluar pa komplikacione, ndërsa pacienti ishte kthyer në banesën ku qëndronte.
Dy ditë më vonë, më 22 maj, italiani është ndier keq dhe është transportuar me urgjencë në QSUT, ku është vendosur në reanimacion. Pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor, ai ndërroi jetë mëngjesin e së shtunës. Sipas burimeve spitalore, pacienti kishte pësuar hemorragji në mëlçi, ndërsa rezulton se vuante nga tumor në këtë organ, gjendje të cilën nuk e kishte deklaruar gjatë kontrollit dentar.
Policia ka nisur hetimet për ngjarjen dhe ka marrë në pyetje administratorin dhe dentistin e klinikës ku u krye ndërhyrja. Klinika ka vënë në dispozicion pamjet filmike të momentit të trajtimit, duke pretenduar se gjithçka është kryer sipas standardeve dhe se pacienti nuk kishte dhënë asnjë informacion për probleme shëndetësore të mëparshme.
Në njoftimin zyrtar, Policia e Tiranës konfirmon se materiali i çështjes është referuar në Prokurorinë e Tiranës për vlerësim të mëtejshëm. Ekspertiza e mjekësisë ligjore pritet të përcaktojë shkakun përfundimtar të vdekjes.
Kjo ngjarje vjen vetëm pak ditë pasi në Durrës, më 22 maj, një tjetër paciente, Valbona Xha Zejno, humbi jetën pas një operacioni për ngushtim stomaku në spitalin privat “Villa Alba”