Skandal në kopshtin e Gramshit: Dyshohet helmim masiv me salmonelë, 70 fëmijë me simptoma të rënda

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në një kopsht shtetëror në qytetin e Gramshit, ku dyshohet se rreth 70 fëmijë janë helmuar nga ushqimi i konsumuar gjatë javës.

Fëmijët janë paraqitur në spital me simptoma të rënda si temperaturë e lartë, të vjella, përzierje dhe dhimbje koke. Fillimisht, prindërit menduan se bëhej fjalë për gjendje gripale, por analizat kanë treguar prani të lartë të bakterit të salmonelës, duke forcuar dyshimet për helmim ushqimor.

Ushqimi është ofruar nga një kompani private kateringu, e kontraktuar për të furnizuar kopshtin publik. Dyshohet se problemi ka nisur disa ditë më parë, ndërsa autoritetet nuk kanë dhënë ende një qëndrim zyrtar për situatën.

Prindërit kërkojnë transparencë, hetim të plotë dhe përgjegjësi për incidentin që ka rrezikuar shëndetin e dhjetëra të miturve. Gjendja e disa prej fëmijëve është raportuar si e rënduar, ndërsa pjesa tjetër po trajtohet në kushte ambulatore.

Autoritetet janë duke ndjekur procedurat për hetimin e ngjarjes dhe pritet që rezultatet përfundimtare të konfirmohen nga institucionet shëndetësore përgjegjëse