Platforma X pëson ndërprerje globale, mijëra përdorues raportojnë probleme me aksesin

Një ndërprerje globale është regjistruar këtë të shtunë në platformën e njohur të rrjeteve sociale X (ish-Twitter), në pronësi të Elon Musk. Sipas faqes së monitorimit Downdetector.com, problemet nisën rreth mesditës dhe prekën përdorues në mbarë botën.

Vetëm në Shtetet e Bashkuara, mbi 25.000 përdorues raportuan vështirësi për të hyrë në platformë deri në orën 12:39 GMT (14:39 me orën lokale të Shqipërisë).

Downdetector mbledh të dhëna nga përdorues të ndryshëm dhe ofrues të shërbimeve për të identifikuar shkallën e problemeve teknike në kohë reale.

Shkaku i ndërprerjes mbetet ende i paqartë, ndërsa kompania X nuk ka reaguar menjëherë me një sqarim zyrtar. Kjo nuk është hera e parë që platforma përballet me ndërprerje të këtij lloji, duke ngritur pikëpyetje për qëndrueshmërinë teknike pas ndryshimeve të shumta që ka pësuar nën drejtimin e Elon Musk.

Përdoruesit kanë shfaqur irritim në platformat e tjera sociale, duke kërkuar informacion dhe duke shprehur pakënaqësinë për mungesën e transparencës nga X.