Përgjimet zbulojnë rrjetin e trafikut të drogës Shqipëri-Itali: Kodet, çmimet dhe takimet mes trafikantëve

Një tjetër episod i rëndësishëm i zbuluar nga dosja e përgjimeve të platformës së koduar Sky ECC ka hedhur dritë mbi një rrjet të mirëorganizuar të trafikut ndërkombëtar të drogës, që operonte mes Shqipërisë dhe Italisë.

Në qendër të këtyre komunikimeve ndodhen dy shtetas të cilët, sipas organit të akuzës, kanë bashkëpunuar ngushtë për të siguruar dhe trafikuar sasi të ndryshme të kokainës, heroinës dhe hashashit, veçanërisht në rajonin e Barit dhe më gjerë në territoret e Bashkimit Europian.

Më 20 tetor 2020, përmes Sky ECC, është regjistruar një komunikim ku dyshohet se bisedohet për një sasi hashashi që identifikohet si “bar spanjoll”. Krahas kërkesës “Ma nis naj foto, po ke dhe çmimin”, diskutohet edhe për çmimet për gram që variojnë nga 3.4 deri në 3.8 euro, në varësi të cilësisë.

Më tej, në nëntor 2020, bisedat i referohen “kuqes”, një pseudonim që dyshohet se përdorej për heroinë, ndërsa në muajt dhjetor dhe janar, komunikimet kalojnë te kokaina, me terma si “thardha” apo “hune”. Çmimet për këtë substancë varionin nga 36 deri në 37.5 euro për gram dhe përfshinin detaje mbi cilësinë, pamjen dhe vendndodhjen.

Në janar 2021, dyshja diskutojnë edhe një “provë” prej 4–5 gramësh për një kontakt italian të identifikuar me emër të koduar, për ta testuar lëndën përpara një blerjeje të mundshme në sasi të mëdha. Një nga takimet përmendet si i organizuar pranë një stacioni policie në Itali, çka tregon nivelin e guximit dhe organizimit të rrjetit.

Nga analizimi i përgjimeve, Prokuroria e Posaçme dyshon se njëri nga të implikuarit ka qenë një hallkë kyçe në strukturën kriminale, duke vepruar në bashkëpunim të ngushtë me të tjerë, përfshirë emra ende të paidentifikuar. Aktiviteti i tyre përfshinte sigurimin, shpërndarjen dhe negocimin e çmimeve dhe sasive të lëndëve narkotike në tregun italian.

Hetimet janë në vijim dhe autoritetet po punojnë për identifikimin e të gjithë pjesëmarrësve në rrjet, si dhe për zbardhjen e plotë të itinerarit të trafikut të drogës nga Shqipëria drejt Italisë dhe më tej