
Partia Demokratike ka depozituar një ankesë zyrtare në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, duke kërkuar shpalljen të pavlefshme të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit në Qarkun e Kukësit dhe përsëritjen e procesit.
Në dokumentin e dorëzuar, PD liston një sërë shkeljesh që, sipas saj, kanë cenuar rëndë integritetin e zgjedhjeve në këtë zonë. Ndër më kryesoret përmenden:
- Përdorimi i aseteve dhe burimeve shtetërore në funksion të fushatës së një partie politike;
- Shit-blerja e votës, si dhe presione ndaj votuesve;
- Parregullsi me votën e emigrantëve, të cilat pretendohet se janë përdorur në mënyrë të paligjshme.
Sipas Partisë Demokratike, këto shkelje kanë deformuar vullnetin e votuesve dhe e bëjnë të nevojshme përsëritjen e zgjedhjeve në këtë qark.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të shqyrtojë ankimimin në ditët në vijim, për të vendosur nëse do të hapë një proces verifikimi më të thelluar apo do të rrëzojë kërkesën. Në të njëjtën kohë, opozita ka paralajmëruar se do të ndjekë të gjitha hapat ligjorë dhe institucionalë për të kërkuar anulimin e votimit në këtë zonë.