
Pas certifikimit zyrtar të rezultateve të zgjedhjeve të 11 majit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), Partia Socialiste do të festojë të hënën më 26 maj fitoren e thellë me 83 mandate deputetësh.
Festa do të mbahet në Pallatin e Brigadave në orën 18:00 dhe do të udhëhiqet nga kryesocialisti dhe njëkohësisht kryeministri Edi Rama. Të ftuar në aktivitet janë të gjithë kandidatët fitues dhe jofitues të PS-së nga të gjitha qarqet e vendit.
Vendimi për organizimin e festës vjen vetëm pak orë pas shpalljes së rezultateve përfundimtare nga KQZ, që konfirmoi rezultatin elektoral për të 12 qarqet e Shqipërisë.
Ndërkohë, Partia Demokratike ka kontestuar rezultatin e zgjedhjeve, duke akuzuar për manipulime dhe blerje masive të votave brenda dhe jashtë vendit. PD ka deklaruar se do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore dhe ndërkombëtare për të kërkuar transparencë mbi procesin.