“E kishim përdorur drogë të dy” – Flet në gjykatë Mikel Selimaj, autori i dyshuar i vrasjes së Altin Arapajt në Rafina të Greqisë.

Mikel Selimaj, 46 vjeç, është paraqitur përpara gjykatës në Evelpidon të Greqisë, ku akuzohet për vrasjen e 41-vjeçarit Altin Arapaj në qytetin Rafina. Së bashku me Selimajn, janë në hetim edhe dy persona të tjerë të dyshuar si bashkëpunëtorë në këtë ngjarje të rëndë që ka tronditur komunitetin shqiptar në Greqi.

Sipas autoriteteve greke, Selimaj u arrestua të premten në një apartament në zonën Glyka Nera, ku fshihej pas lëshimit të urdhrit të arrestit ndërkombëtar për “vrasje me dashje” dhe “mbajtje të paligjshme të armës”.

Në deklaratën e tij përpara gjykatës, 46-vjeçari tha se nuk kishte pasur qëllim ta vriste viktimën dhe e justifikoi veprimin e tij me gjendjen e rënduar psikike të shkaktuar nga përdorimi i drogës. “Kishim pirë të dy drogë, nuk e kuptova çfarë po bëja”, u shpreh ai.

Gjithashtu, raportohet për tensione gjatë seancës gjyqësore, ku Selimaj ka pasur një përplasje verbale me forcat e sigurisë, duke kërcënuar një efektiv policie. Ndërkohë, hetimet vazhdojnë për të sqaruar rrethanat e plota të ngjarjes dhe rolin e tre të dyshuarve në vrasjen e Arapajt. Autoritetet greke po bashkëpunojnë ngushtësisht me palën shqiptare për verifikime të mëtejshme.