Dosja “Ura”: Ish-polici A. M ndihmoi trafikantët e drogës, kërkoi informacione deri te ish-kreu i Policisë së Shtetit, Gledis Nano

Zbardhen detaje tronditëse nga dosja e operacionit “Ura”, ku ish-efektivi i forcave RENEA, Altin Morina, akuzohet për përfshirje aktive në një rrjet të trafikut ndërkombëtar të drogës. Sipas SPAK, Morina ka vepruar në bashkëpunim të ngushtë me personazhin e njohur të botës së krimit, Ekil Ndërnjaku, si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që merrej me transportin e lëndëve narkotike, kryesisht hashash, nga vende të ndryshme të Evropës drejt Italisë.

Hetimet zbulojnë se grupi siguronte lëndën narkotike në vende si Spanja dhe Gjermania, për ta transportuar më pas me kamionë drejt destinacioneve finale. Në komunikime të kapura përmes aplikacionit të koduar SkyECC, Ndërnjaku shprehej: “Në fusim minimumi 150 kile bar e çokollat”, ndërsa Morina replikonte: “Ok, që ta dij dhe unë se ku e ka transportin për përgjithmonë.”

Ajo që e bën edhe më të rëndë përfshirjen e Morinës është fakti se ai ka kërkuar informacion edhe nga strukturat më të larta të Policisë së Shtetit, përfshirë emrin e ish-drejtorit të Përgjithshëm, Gledis Nano. Dyshohet se Morina shfrytëzonte lidhjet e tij në polici për të favorizuar aktivitetet e grupit kriminal dhe për të shmangur kontrollet.

SPAK po heton për të zbardhur thellësisht rrjetin, lidhjet dhe përgjegjësitë konkrete, ndërsa Altin Morina dhe bashkëpunëtorët e tij përballen me akuza të rënda për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike