
Kandidati për deputet më i votuar në zgjedhjet e 11 Majit Blendi Gonxhja, ka folur për rezultatin dhe renditjen e tij.
Me 24 mijë e 608 vota, Gonxhja e cilëson rezultatin e arritur një përgjegjësi të madhe për të punuar më shumë 4 vitet e ardhshme.
“Është një barrë shumë e madhe. Është një gëzim, është një krenari, është një kënaqësi kur shikon rezultatin, por nga ana tjetër është automatikisht një përgjegjësi shumë e rëndë, shumë e madhe, që duhet të përkthehet menjëherë në përveshje mëngësh për të punuar”, tha Gonxhe.
Por një mbështetje e madhe nga qytetarët, a do t’i hap rrugën Gonxhes për të garuar në pozicionin e kryetarit të Bashkisë në zgjedhjet e ardhshme vendore?
“Mendoj se Bashkia e Tiranës zyrtarisht e ka kryetarin e vet, e ka datën e vet të zgjedhjeve në kohën e vet. Mendoj që nuk ka lidhje me këtë gjë. Natyrisht pritshmëria shumë pozitive e kryeqytetasve, në këtë rast e Qarkut Tiranë të mbush me krenari, por ta thashë, nuk shoh lidhje direkte me Bashkinë Tiranë”, u shpreh ministri i Ekonomisë.
Sipas Gonxhes qëllimi i vetëm i tij, por dhe i deputetëve të rinj ndaj Bashkisë së Tiranës është dhënia e ndihmës në zhvillimin e projekteve pasi Tirana është lokomotiva kryesore e Shqipërisë.