Fier – Arrestohet administratori i “Ligori Travel” në kuadër të megaoperacionit “Ura”

Fier, 21 maj 2025 – Megaoperacioni i koduar “Ura”, zhvilluar në bashkëpunim mes autoriteteve shqiptare dhe atyre italiane, është shtrirë edhe në qytetin e Fierit. Mes 52 urdhër-arresteve të lëshuara në kuadër të këtij operacioni, është ndaluar edhe Ligor Çombashi, administrator i kompanisë së transportit “Ligori Travel”, e cila operon në linjën Shqipëri-Itali.

Burime nga policia bëjnë me dije se Çombashi është arrestuar në orët e para të mëngjesit në banesën e tij në fshatin Sheq Marinas. Ai nuk është emër i panjohur për autoritetet, pasi në vitin 2016 ishte arrestuar për kontrabandë mallrash në Vlorë.

Hetimet paraprake dyshojnë se Çombashi ishte i përfshirë në transportimin e shumave të mëdha parash të përfituara nga veprimtari të paligjshme në Itali, të cilat dërgoheshin tek të afërmit e personave të përfshirë në këto aktivitete në Shqipëri.
Banorë të zonës e përshkruajnë Çombashin si një person të qetë dhe të respektuar, me një karrierë të nisur që pas viteve ’90 fillimisht me shërbime transporti me furgonë.
Operacioni “Ura” vijon në disa qytete të Shqipërisë dhe të Italisë, ndërsa autoritetet pritet të japin detaje të mëtejshme mbi grupin kriminal dhe rrjetin e bashkëpunëtorëve.