
Gjatë protestës së organizuar nga opozita më 16 maj në Tiranë, disa deputetë të Partisë Demokratike kanë ndërhyrë në mënyrë agresive ndaj gazetares së Euronews Albania, Sara Demushi, duke e penguar në kryerjen e detyrës së saj. Deputeti Edi Paloka ka vepruar fizikisht duke i shkëputur badge-in e identifikimit nga qafa, ndërsa të tjerë kanë përdorur gjuhë fyese dhe kërcënuese.
Ngjarja ka ndodhur në momentin kur ekipi i Euronews Albania po raportonte nga vendi i protestës së opozitës. Gazetarja Sara Demushi iu afrua deputetit Edi Paloka për ta intervistuar, por ky i fundit refuzoi dhe e kërkoi largimin e kamerës. Menjëherë pas kësaj, Paloka i shkuli badge-in e identifikimit nga qafa, gjest që u filmua dhe u publikua nga media.
Në mënyrë të ngjashme reagoi edhe deputeti Aldo Bumçi, i cili refuzoi të prononcohej, duke thënë se nuk ishte pyetur nëse donte të fliste për median në fjalë. Më pas, situata u përshkallëzua, kur disa protestues ndërhynë për të penguar transmetimin, duke mbuluar kamerën dhe ofenduar gazetaren.
Deputeti Klevis Balliu gjithashtu pati një qasje konfrontuese, duke i thënë gazetares se nuk kishte të drejtë të kontaktonte protestuesit, pavarësisht se ata ishin vetë ata që kërkonin largimin e kamerës dhe përfaqësuesve të medias.
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë reagoi menjëherë pas incidentit, duke dënuar sjelljen e deputetëve të PD-së dhe duke kërkuar ndalimin e menjëhershëm të çdo forme presioni apo sulmi ndaj gazetarëve në terren. Organizata kërkoi që drejtuesit politikë të mbajnë përgjegjësi dhe të garantojnë sigurinë e medias gjatë ushtrimit të detyrës.
Ngjarja ka ngritur shqetësime të mëdha mbi respektimin e lirisë së shtypit dhe sigurinë e gazetarëve në protestat politike, duke rikthyer në vëmendje nevojën për standarde më të larta demokratike dhe përgjegjësi publike.