Rama në Samitin e EPC: Shqipëria ëndërron Evropën, po kërcënohen themelet tuaja nga forca që rikthejnë makthet e luftës

Kryeministri Edi Rama, si mikpritës i Samitit të Komunitetit Politik Europian në Tiranë, mbajti një fjalë përshëndetëse përpara liderëve të 47 vendeve dhe organizatave europiane. Ai theksoi rëndësinë që ka për Shqipërinë anëtarësimi në Bashkimin Europian, duke e lidhur këtë proces me vizionin e Partisë Socialiste dhe rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit.

“Nuk jeni të rrethuar nga makthet e Evropës, por nga imagjinata e fëmijëve shqiptarë për të. Ëndrrat e tyre nuk mbahen peng nga mitet e së shkuarës, por janë të drejtuara nga shpresa për të ardhmen”, u shpreh Rama, duke theksuar se Shqipëria tashmë e sheh të shkuarën përmes syve të së ardhmes.

Ai shtoi se mbërritja e liderëve europianë përkon me një moment domethënës për vendin tonë, ku Evropa ishte më e pranishme se kurrë në diskursin politik të fushatës, jo si listë politikash, por si përkatësi dhe fat i përbashkët.

Rama paralajmëroi gjithashtu për kërcënimet që po i kanosen themeleve të vetë Bashkimit Europian:

“Evropa është mbledhur këtu sot. Ëndrra e paqes është zëvendësuar nga makthi i luftës. Në vend të kambanave të paqes, dëgjojmë kambanat e luftës. Përballemi me forca që po trondisin themelet e saj. Kjo është arsyeja pse sot është më e rëndësishme se kurrë të kujtojmë Evropën e iluminizmit dhe përpjekjen për paqe – jo vetëm mes vetes, por edhe me armiqtë tanë.”