
Tensione janë regjistruar në arenën e Eurovision 2025 në Bazel të Zvicrës, gjatë provave zyrtare për gjysmëfinalen e dytë. Performanca e përfaqësueses së Izraelit, Yuval Raphael, u ndërpre papritur pas ndërhyrjes së disa protestuesve pro-palestinezë që hynë në sallë me flamuj të Palestinës dhe fishkëllima.
Ngjarja ndodhi pasditen e 15 majit. Sipas deklaratës së transmetuesit publik zviceran SRG SSR, gjashtë persona, përfshirë një familje, penguan provën zyrtare duke protestuar në arenë. Ekipi i sigurisë reagoi menjëherë dhe protestuesit u larguan pa incidente të tjera.
Organizatorët falënderuan publikun dhe stafin për qetësinë dhe mirëkuptimin, duke theksuar përkushtimin për një ambient të sigurt, neutral dhe gjithëpërfshirës, ku respektohen të gjitha palët.
Pjesëmarrja e Izraelit në Eurovision këtë vit ka qenë temë e debatit të gjerë, mes thirrjeve për përjashtim për shkak të konfliktit në Gaza. Yuval Raphael është një e mbijetuar e sulmeve të 7 tetorit 2023 nga Hamasi, ngjarje që ka thelluar më tej diskutimet mbi përfshirjen e saj në këtë garë