PD sfidon ndalimin e policisë, vendosur të protestojë te “Zogu i Parë” në ditën e Samitit Europian në Tiranë

Partia Demokratike mbetet e vendosur për zhvillimin e protestës të premten, më 16 maj, në Bulevardin “Zogu i Parë”, pavarësisht refuzimit nga ana e policisë dhe përplasjes me autoritetet për shkak të Samitit të Komunitetit Politik Europian që mbahet në të njëjtën ditë në Tiranë.

Fillimisht u përfol për një zhvendosje të mundshme të protestës në një vend tjetër, por PD ka konfirmuar se nuk do të ketë ndryshim. Protesta do të mbahet pranë Ministrisë së Drejtësisë, në kryqëzimin me rrugën “Fortuzi”, në orën 17:00.

Policia e Shtetit ka refuzuar lejen për zhvillimin e tubimit në këtë lokacion, duke përmendur masat e sigurisë të vendosura për shkak të pranisë së liderëve të lartë europianë në sheshin “Skënderbej”, vetëm disa qindra metra larg. Megjithatë, PD i qëndron njoftimit fillestar, edhe pse është detyruar të ndryshojë posterin e protestës pas reagimit institucional.

Situata pritet të ndiqet me vëmendje për shkak të ndjeshmërisë së lartë politike dhe diplomatike që mbart dita e samitit.