
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, znj. Elisa Spiropali, priti sot paradite Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së, z. Feridun Hadi Sinirlioğlu, i cili ndodhet në Tiranë me rastin e zhvillimit të Samitit të Komunitetit Politik Europian. Në takim ishte i pranishëm edhe Ambasadori Michel Tarran, Kryetar i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri.
Gjatë takimit, znj. Spiropali vlerësoi lartë bashkëpunimin e deritanishëm me Prezencën e OSBE-së, duke e konsideruar si një partner kyç në mbështetjen e komisioneve parlamentare, deputetëve dhe në procesin e hartimit të dokumenteve strategjike për modernizimin dhe rritjen e eficencës së punës së Kuvendit.
“Kuvendi i Shqipërisë është i angazhuar fuqimisht drejt objektivit strategjik të anëtarësimit në Bashkimin Europian deri në vitin 2030,” u shpreh Spiropali. “Ky proces do të ketë ndikim pozitiv në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke forcuar rolin e Shqipërisë si faktor zhvillimi, stabiliteti dhe integrimi në rajon.”
Në këtë kontekst, ajo theksoi se organizimi i Samitit të Komunitetit Politik Europian në Tiranë është një dëshmi konkrete e progresit të vendit drejt integrimit europian dhe e rritjes së prestigjit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.
Spiropali falënderoi gjithashtu Sekretarin e Përgjithshëm për angazhimin e OSBE/ODIHR në monitorimin e zgjedhjeve të 11 majit dhe siguroi se Kuvendi do të analizojë me vëmendje rekomandimet e raportit të këtij misioni.