Lushnjë – Vetëplagoset me armë zjarri dhe tenton të mashtrojë policinë, arrestohet 37-vjeçari dhe dy bashkëpunëtorët

Një 37-vjeçar në Lushnjë është arrestuar pasi dyshohet se është vetëplagosur aksidentalisht me armë zjarri që e mbante pa leje, ndërsa tentoi të fshehë ngjarjen duke deklaruar në spital se ishte dëmtuar me një mjet prerës.Ngjarja ndodhi pas njoftimit të Spitalit të Lushnjës, ku shtetasi A. M., 37 vjeç, u paraqit i plagosur në këmbë. Hetimet e menjëhershme të Policisë zbuluan se ai ishte vetëplagosur në një automjet me një armë pa leje. Për të shmangur përgjegjësinë penale, ai deklaroi një version të rremë të ngjarjes.Në pranga kanë rënë edhe vëllai i tij, I. M., 33 vjeç, dhe shoku i tyre, F. V., 40 vjeç, të cilët dyshohet se kanë fshehur automjetin ku ndodhi vetëplagosja dhe kanë mbështetur deklaratën e rreme.Gjatë kontrollit në automjetin e gjetur, Policia sekuestroi dy fishekë dhe një predhë arme zjarri. 37-vjeçari ndodhet nën kujdesin e mjekëve dhe jashtë rrezikut për jetën.Nën drejtimin e Prokurorisë së Fierit, vijon puna për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe për dokumentimin ligjor të veprave penale.