Aksident në Giro d’Italia: Mikel Landa rrëzohet në Tiranë, përfundon në spital dhe tërhiqet nga gara

Një nga çiklistët më të njohur dhe favorit për fitoren në edicionin e sivjetshëm të Giro d’Italia, spanjolli Mikel Landa, ka përfunduar jashtë gare pas një aksidenti të rëndë në etapën e parë që u zhvillua në Shqipëri.

35-vjeçari i skuadrës Soudal–Quick Step humbi kontrollin e biçikletës gjatë një kthese të shpejtë pranë zonës së Freskut në Tiranë dhe u përplas me një shtyllë, duke rënë me forcë mbi trotuar. Si pasojë e dëmtimit të rëndë, Landa nuk mundi të lëvizte dhe u transportua me urgjencë në spital.

Në mbrëmje, skuadra e tij njoftoi se ai ka pësuar frakturë në vertebrën torakale T11, një dëmtim që kërkon pushim absolut dhe ndjekje të kujdesshme mjekësore. Aktualisht, ai ndodhet i shtruar në një spital në Tiranë, ku ka kaluar natën e së premtes.

Gjatë së shtunës, mjekët do të vendosin për mënyrën e transportimit të tij në Spanjë, në varësi të gjendjes dhe rekomandimeve. Rrëzimi i Landa-s përfaqëson një goditje të madhe për ekipin Soudal–Quick Step dhe për vetë garën, ku ai shihej si një nga pretendentët kryesorë për fitore