VETËM NË 100 DITË DO T’IA NXJERRIM VARFËRINË ÇDO VATRE SHQIPTARE – BERISHA NGA ELBASANI ME ZOTIME TË FORTA ELEKTRALE

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi një takim elektoral në qytetin e Elbasanit, ku u shpreh me tone të forta kritike ndaj qeverisë aktuale dhe bëri një sërë premtimesh për ndryshim rrënjësor ekonomik dhe social, brenda 100 ditëve nga marrja e pushtetit.

Në fjalën e tij, Berisha tha se pas vitit 2013, Shqipëria është përfshirë nga varfëria, krimi dhe emigrimi masiv, duke akuzuar qeverinë për falimentim të bizneseve, ngrirje të pagave e pensioneve dhe rritje të çmimeve në nivele rekord.

“Në 100 ditë do të përjashtojmë mjerimin nga çdo vatër shqiptare. Pensionistët do marrin 200 euro. Rroga minimale do jetë jo më pak se 500 euro. Ushqimet bazë do jenë 20% më lirë për pensionistët dhe ata me paga të ulëta,” – u shpreh ai.

Berisha premtoi gjithashtu ulje drastike të çmimit të energjisë dhe karburanteve:

“Energjia do kushtojë vetëm 7 lekë për qytetarët dhe 6 lekë për bizneset. Nafta do ulet me të paktën 40%.”

Ai shtoi se qeveria e tij do ofrojë lehtësi fiskale për bizneset, përfshirë:

  • Ulje të TVSH-së në 15%
  • Tatim fitimi vetëm 10%
  • Përgjysmim i çmimit të ujit për bizneset e vogla
  • Tatim mbi të ardhurat i reduktuar nga 23% në 10%, që do sjellë një rritje të rrogës neto me 13%

Në përmbyllje të fjalës, Berisha i bëri thirrje qytetarëve të Elbasanit që të besojnë në një ndryshim të menjëhershëm, duke e quajtur këtë pranverë “pranvera e shpresës, besimit dhe fitores”.