BABAI I ARDIT BESHIRIT RRËFEN DETAJE TRONDITËSE: MENAXHERJA I DHA URDHËR TË PUNONTE ATY KU RRËSHQITI DHEU

Prej pesë ditësh vijojnë pa rezultat kërkimet për trupin e Ardit Beshirit, 29-vjeçarit që u zhduk nën një masiv dheu e balte në ambientet e një fabrike përpunimi kromi në Qafën e Burrelit. Arditi po punonte me një eskavator kur ndodhi rrëshqitja fatale që e mbuloi plotësisht.

Në vendin e ngjarjes janë angazhuar forcat e FSK-së dhe grupet e shpëtimit nga Bulqiza, ndërsa deri më tani janë gjetur vetëm disa sende metalike dhe një këpucë që dyshohet se i përket Arditit. Pavarësisht përpjekjeve, mungesa e pajisjeve të specializuara ka vështirësuar ndjeshëm operacionin e shpëtimit.

Babai i të riut, Nerim Beshiri, ka dalë në media me një apel të fortë drejtuar institucioneve shtetërore. Në një deklaratë tronditëse, ai akuzon menaxheren e firmës për neglizhencë dhe papërgjegjshmëri të rëndë.

“Shteti të më ndihmojë. E kërkojmë djalin prej 5 ditësh. Janë gjetur sende metalike dhe një këpucë. Nuk ka aparatura për të gjetur trupin e njeriut. Kërkoj që shteti të kërkojë ndihmë nga fqinjët. Menaxherja i dha urdhër djalit të punonte aty ku rrëshqiti dheu,” – u shpreh i ati, duke mos fshehur dhimbjen dhe zhgënjimin.

Kjo ngjarje ka ngritur alarmin për sigurinë në vendet e punës në sektorin minerar, si dhe për mungesën e protokolleve të emergjencës në raste të tilla. Familja e Ardit Beshirit kërkon drejtësi dhe ndërhyrje urgjente nga shteti, për të paktën të rikthyer trupin e të ndjerit.

Hetimet për ngjarjen vijojnë, ndërsa nuk përjashtohet mundësia e ndjekjes penale ndaj përgjegjësve