AKTORJA I BËN ‘PARASHIKIMIN’ E ZGJEDHJEVE RAMËS: S’MË GËNJEN FILXHANI MUA, 78 MANDATE I KE TË MARRA

 Aktorja e njohur Delinda Disha ishte e pranishme në mitingun përmbyllës të Partisë Socialiste në Fier, ku me tone humori dhe në stilin e saj të veçantë, “parashikoi” fitoren e PS-së në zgjedhjet e 11 majit.

Duke iu drejtuar kryeministrit Edi Rama, Disha tha se “filxhani” i saj parashikon jo vetëm transformimin e Fierit në një destinacion turistik, por edhe një fitore të thellë të PS-së me 78 mandate.

“Ta pashë filxhanin motra jote herën e parë, t’i gjeta të gjitha me porte, aeroporte, hekurudha. Vetëm Shell-i na u vonua,” u shpreh ajo. Duke folur për zhvillimin e Fierit, aktorja u shpreh se “Antalya t’i marrë të keqen” dhe parashikoi ndërtimin e resorteve, hoteleve dhe një treg të ri pune nga Semani në Vjosë.

Disha shtoi se “Komuna e Parisit”, zonë e njohur e Tiranës ku jetojnë shumë fierakë, do të zbrazet, pasi ata do të kthehen të investojnë në Fier.

Në fund të fjalës së saj, ajo dha edhe “nuskën e fitores”, duke thënë: “O 77, o 78 më dalin mua. Po 78 unë them i ke të marra e vdekur.”

Aktorja përfundoi me një mesazh simbolik për kryeministrin: “Mandati i fundit më del në Bruksel, ku do të ngresh flamurin më të bukur në botë.”